A G I D E E B A

Just another Wordpress.com weblog

SI U KAP DHE U UL NE RINAS, AVIONI JUGOSLLAV I TIPIT F 84G

SI U KAP DHE U UL NE RINAS, AVIONI JUGOSLLAV I TIPIT F 84G

Avioni Jugosllav

(Marre nga Koha Jonë)
E Diele, 28 Maj 2006

Shkenca, teknika, bukuria, madheshtia, guximi, aventura dhe disiplina kur mblidhen bashke, perbejne nje "PILOT". Nje histori reale, per gjithe ata qe thone se "Shqiperia nuk ka patur kurre Forca Ajrore"Ai qe eshte me afer avionit, qe shkon me shpejt tek ai, do te ngrihet i pari ne ajer. S'ka radhe ne lufte, por ka urdher dhe devotshmeri. Me i zoti, me i shkatheti, me trimi, del ne balle te saj. Ne lufte dhe sidomos ne aviacion, sekondat jane ato qe vendosin fatin e luftes.

Nga Agim Bacelli
Shkenca, teknika, bukuria, madheshtia, guximi, aventura dhe disiplina kur mblidhen bashke, perbejne nje PILOT. Po ju tregojme nje ngjarje reale nga arma e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Ngjarja eshte disi e vecante sot ne turbulliren e zerave qe dalin dhe thone se "Shqiperia nuk ka patur kurre Forca Ajrore!".Disa e dine qe Forcat Ajrore Shqiptare jane krijuar ne 24 Prill 1951 por pak, shume pak, e dine qe kjo arme per 20 e ca vjet ka patur teknologjine me moderne te kohes; njelloj si te gjithe Forcat Ajrore te botes se perparuar. Plus, aviatoret shqiptare kane qene aviatore me shpirt heroik te cilet mund te benin gjithcka per atdheun dhe kombin e tyre, deri ne sakrificen sublime te dhenies se jetes per idealin e tyre.

40 vjet qiell i paster, pa shkelje te qellimshme.
Nuk e teprojme fare nese themi qe 40 vjet qielli shqiptar ka qene krejt i paster dhe raste te rralla jane shkeljet e qellimshme. Kushdo qe ka tentuar ta shkele qiellin shqiptar edhe pa dashje, eshte kapur, vrare ose perzene jashte hapesires ajrore shqiptare.

Nuk jemi aspak nostalgjik te regjimit komunist, por duam te jemi realist ne ate realitet qe kemi jetuar. Ne ate kohe, ne gadishmerine roje qe ishin ne tre aerodromet kryesore te Shqiperise, qendronin ne gadishmeri te plote luftarake gjate 24 oreve, 4 (nganjehere 12) aviona reaktive me ekuipazhin e tyre te plote.

Pavaresisht se kush sundonte ne Shqiperi, heronjte aviatore shqiptare te cilet mbronin hapesiren tone ajrore, kane qene te perkushtuar me shpirt e zemer per ta mbrojtur ate. Jo nje here ne aviatoret; pilote teknike dhe specialiste, kemi qene deshmitare okulare te heroizmave te shumta te bere nga pilote te cilet kane cmuar me te shenjte, Atdheun, Regjimentin Ajror, Shokun, Aeroplanin … sesa jeten e tyre.

Nje nga rastet e konfrontimit ajror
Nje nga disa rastet e konfrontimit ajror ne hapesiren tone ajrore eshte edhe kapja dhe ulja ne Rinas e avionit jugosllav F 84G Thunderjet. Kjo ka ndodhur ne daten 21 Korrik 1967 ne mengjes.

Ishte nje dite vere e bukur kur fare papritur ne qiellin shqiptar, ne drejtim Peshkopi Martanesh Tirane, ne lartesi shume te ulet gati rrafsh me malet, nje avion i huaj me flamur e shenje te Republikes Federale te Jugosllavise po fluturonte ne qiellin tone.

Nga shenjat dalluese dhe nga forma, e kuptuam se ishte nje avion jugosllav gjuajtes bombardues i lehte. Per interceptoret e radiolokacionit shqiptar, kishte qene e pamundur te kapej ky fluturim. Ora mund te kete qene ne ate kohe rreth 7 ose 7:30 e mengjesit dhe pjesa me e madhe e efektivit te Regjimentit te Rinasit ishin pushim, pasi nje nate me pare regjimenti kishte patur fluturim naten.

Beqaret flinin ne hotelin tone ne Rinas dhe familjaret duhet te vinin nga Tirana ne pune aty nga ora 10. Ata qe nuk kishin patur fluturim; nje grup i vogel pilotesh dhe teknike, po qendronin diku nen hije te pemeve, afer klasave tona te pergatitjes ajrore dhe tokesore.

Mesa mbajme mend, atje qe edhe ekuipazhi i bombarduesit IL 28, qe zakonisht nuk fluturonte naten dhe komandanti i saj, vlonjati Bajram Hitaj. Ate dite pilote te gatshem, qe ju ra "fati" te perballen me armikun, ishin pilotet Koco Biku dhe Roland Sofroni.

Ja si e tregon vet Koco Biku kete ngjarje.
"Une nuk kam ndonje dell shkrimtari, por ne nje tregim parapelqej realitetin si dhe 'zbukurimet' e autorit te cilat nuk e shtremberojne kete realitet. Jane keto, zbukurimet, qe ia ritin vleren shkrimit, ndryshe te gjithe do shkruanin, se cdo njeri ka ne jete gjera per te treguar por, menyra e tregimit nuk mund te jete tek te gjithe e njellojte; ka tregime dhe tregime, pavaresisht se mund te kene te njejtin subjekt.

Me pak fjale, jam qe tregimi i ngjarjes te jete sa me i vertete. Nuk jam nga ata qe dua te mburrem dhe te tregoj se cfare akti heroik kam bere. Une bera detyren ndaj Atdheut, ate detyre qe do ta bente gjithkush qe mendon se eshte ne sherbim te lirise, dinjitetit dhe paqes se atdheut e kombit te vet.

Sic e thashe me siper, qe te isha plotesisht i sakte persa dua te tregoj, m'u desh te keshillohesha me shoket e mi me te cilet kemi qene protagoniste ate dite kur detyruam nje pilot jugosllav te ulet ne pisten e Riansit. Per kete kam biseduar me z. Bardhyl Lubonja dhe me disa te tjere. I ndjeri Mahmut Hysa ka vite qe ka vdekur.

Ne, efektivi i gadishmerise 'Cifti Roje' si dhe z. Mahmut Hysa, i cili nuk kishte shkuar ne shtepi pas perfundimit te fluturimeve naten, po pushomin ne dhomen e gjumit te gadishmerise. Rreth ores 07.00 z.Mahmut me thote mua, "Koco, hajde dalim perjashta ta ndezim nga nje cigare, boll fjetem e pushuam. Dhe keshtu, te dy u cuame nga krevati, duke i lene te tjeret ne gjume ( Bardhosh Hasanin dhe Roland Sofronin) dhe dolem perjashta.

Tek dera e gadishmerise une i zgjata paketen e cigareve z. Mahmut dhe nderkohe qe po pergatitsha t'ia ndizja, degjojme nje zhurme, qe sa vinte e shtohej, ishte nje uturime avioni jo e zakonshme per ne. Nuk arritem te ndezim cigaret, Mahmuti qe e dalloi dhe percaktoi se ajo ishte nje zhurme avioni i huaj, bertiti me sa fuqi qe kishte ose mund te them, uleriti: "Njeshi! Njeshi!" (Komande kjo per ciftin roje per t'u ngritur ne ajer).

Te dy vrapuam drejt avioneve te ciftit roje, Mahmuti u fut ne kabinen e avionit te pare te ciftit roje qe ne fakt me takonte mua, por meqe Mahmuti ishte komandanti im, zuri vendin tim. Mbas tij, edhe une hipa ne kabinen e avionit te dyte (pra, dola shoqerus i Mahmutit, pavaresisht se ne gadishmeri roje isha une komandant cifti dhe z.Roland Sofroni shoqeruesi im.)

Mbas komandant Mahmutit dhe meje, te gjithe ata qe degjuan thirrjen e Mahmutit u paraqiten ne vendet e tyre luftarake dhe filluan veprimet per pergatitjen e leshimin (ndezjen) e motoreve te avioneve. Motoret e avionit ku do fluturonte Mahmuti nuk u leshuan me tentativen e pare si rezultat i ngutjes e mos koordinimit te efektivit teknik, mekanik e shoferit te makines se leshimit, (APA s), detyrimisht ata perseriten leshimin.

Nderkohe, une pergatita veten per t'u ngritur ne ajer, ndersa po vishja parashuten dhe po lidhesha, i thashe teknikut te avionit, z.Aleks Mitro qe te leshonte motorat, te cilet u leshuan me sukses.

Mbas leshimit, une detyrimisht nuk mund te prisja leshimin e avionit te pare por fillova te leviz per ne brezin e ngritjes, nderkohe qe z.Mahmut ma bente me shenje qe te vazhdoja (akoma nuk e kishim lidhur radion bashke) per t'u ngritur ne ajer, e te mos e prisja ate, se dhe ai pas pak do te ishte ne ajer.

Kishim shkelje te hapesires ajrore.
Ishte Mahmut Hysa i pari qe percaktoi se kishim nje shkelje te hapesires ajrore nga nje avion i huaj dhe ne keto raste ashtu veprohet, sic veproi komandant Mahmuti. Ai qe eshte me afer avionit, qe shkon me shpejt tek ai, do te ngrihet i pari ne ajer. S'ka radhe ne lufte, por ka urdher dhe devotshmeri.

Me i zoti, me i shkatheti, me trimi, del ne balle te saj. Ne lufte dhe sidomos ne aviacion, sekondat jane ato qe vendosin fatin e luftes. Ne ate kohe te gjithe ne pilotet ishim te pergatitur pe te kryere veprime luftarake ne rast te shkeljes se hapesires ajrore, por duhet thene se shkalla e pergatitjes nuk ishte tek te gjithe pilotet e njellojte.

Ne kete rast duhet te pranoj se z.Mahmut ishte nje pilot i vjeter dhe me eksperience me shume se ne te rinjte. Hysa ka qene pjesmarres edhe ne kapjen e avionit amerikan qe sot ndodhet ne Muzeun e Luftes ne Gjirokaster.

Gati sa nuk qellova mbi armikun!
Nuk kam mundesi sesi ta pershkruaj momentin kur pashe avionin e huaj mbi token time, jo se ka kaluan shume kohe, pasi ate moment nuk do ta harroj kurre, por se ndjenjat e mia ne ato caste s'ka asnje pene qe t'i pershkruaje!

Une mund te bej nje krahasim per te kuptuar ate se cfare une ndjeva ato caste. Imagjinoni per nje cast nje te huaj te armatosur deri ne dhembe e te paftuar duke hyre ne shtepine tuaj, cfare do te ndjeni ju? Sigurisht qe do t'ju ngrihen qimet e kokes perpjete dhe do t'i suleni armikut qofte edhe me duar pa marre parasysh se cfare do te ndodhe!

Edhe une ndjeva pak a shume te njejten gje, vecse ne kete rast edhe une isha i armatosur mire, njelloj si ai. Kur une pashe se avionit armik i vareshin poshte bombat dhe predhat raketore qe vetem me nje te shtypur te sustes ato do te perfundonin mbi token time, popullin tim, mbi shtepite dhe atdheun tim, s'mund te rrija pa e ndalur me cdo mjet dhe rruge.

Te them te verteten gati sa nuk qellova mbi te, pa menduar aspak per pasojat por sic duket, ne momentin e shtypjes se sustes, mendja m'u kthjellua nga urdhri i "Vendkomandes" qe me urdheronte ta mbaja ne shenjester pa asnje veprim me armaturen duke i mbajtur gati raketat dhe predhat. Pune sekondash ishin ato qe e shpetuan jeten e nje piloti jugosllav. Zeri ne radio vazhdonte te me buciste, "Do te hapesh zjarr vetem nese ai hap zjarr i pari ose hedh bombat!"

Interceptoret .
Moszbulimi nga mjetet radiolokatore nuk duhet te cilesohet si nje mangesi e madhe e kohes, sepse aftesite e tyre per zbulim ne lartesi te vogel e ne terren te thyer malor, ishin shume te kufizuara, pastaj edhe regjimi i punes se tyre, pasi nuk mund te mbahet i gjithe ai sistem zbulimi radiolokator (zbulimin e larget, zbulimin ne lartesi te vogla, etj) per njezet e kater ore ne pune.

Me kete rast le te kujtojme qe avioni jone UTI MIG 15 ne vitin 1997 shkoi e u ul ne Itali, pra fluturoi mbi det ne lartesi te ulet dhe nuk u zbulua nga italianet qe kane mjete shume moderne.

Shok me ate qe do te kisha vrare.
Une mendoj se piloti jugosllav u tregua i ndershem dhe tregoi te verteten se kishte humbur. Humbja e orientimit eshte nje fenomen i njohur ne aviacion dhe ai ka vetem nje shpjegim, thjeshte thyerja e rregullave nga vete piloti ose nga komanda qe organizon e zhvillon fluturimet, pra kemi dhe mos pergatitje te mjaftueshme te pilotit, etj etj, qe per ne pak rendesi kane pse ka ndodhur ajo humbje orientimi nga piloti jugosllav, ai per ne do te quhej shkeles i hapesires tone ajrore dhe ne rojet e saj do ta cilesonim armik.

Pavaresisht se ai deshte apo nuk deshte te shkelte hapesiren tone ajrore, kishte apo nuk kishte urdher apo detyre ta shkelte, etj. Ky qendrim nuk eshte aspak ne kundershtim me mikpritjen qe ne aviatoret; te gjithe ushtaraket, i beme mikut te paftuar.

Ne, kur morem vesh se ai nuk kishte erdhur te na godiste por thjesht si humbes, e trajtuam jo si armik, ndame ushqimin dhe gjithcka me te. Mbaj mend qe personalisht i kam dhene me gjithe zemer nje pakete duhan "Diamant", me te mirat qe prodhoheshin e perdoreshin ne ate kohe tek ne, por nuk i tregova se isha nje nga ata pilote qe e kapem ne ajer.

Ai me shikonte me respekt dhe kurre nuk e mori vesh qe isha une ai qe do ta kishte vrare. Edhe une e shikoja me respekt dhe mendoja, se kete njeri qe po hanim dhe pinim bashke, per pak sa nuk e kisha vrare dhe sigurisht qe une nuk do t'ja shikoja kurre fytyren dhe nuk do t'i falja nje pakete cigare nese Vendkomanda Qendrore te mos me kishte urdheruar te mos qelloja i pari". Ndersa pilotet Koco Biku dhe Mahmut Hysa bene rrethimin dhe detyrimin e pilotit jugosllav te ulej ne toke, ata qe ishin jashte "Ciftit Roje" na japin te dhena.

Situata luftarake ne toke.
"Ne morem vesh, do te tregoje piloti i Mig 21, Bardhi Lubonja, kur degjuam zhurmen e motorrit te avionit armik qe ishte nje zhurme ndryshe nga ai i motorrave te avioneve tane. Menjehere u cuam ne kembe dhe u drejtuam andej nga na erdhi zhurma.

Fill pas asaj zhurme degjuam edhe leshimin e ciftit roje ne gadishmerine tone qe perbehej nga dy cifte Mig 19. Kocua me inisiativen e tij dhe pa marre leje, doli ne brezin e ngritjes i vetem dhe per dy minuta u gjend ne ajer perballe avionit armik jugosllav. Nderkohe qe bere gati edhe Mahmut Hysa i cili i doli avionit jugosllav nga prapa.

Nderkohe i gjithe hoteli i beqareve ishte zgjuar; pilote e teknike, ashtu ne breke e kanatjere, kush me makina e kush me kembe, kishin arritur tek avionet e gadishmerise luftarake te vijes se dyte dhe tek vendqendrimet e tyre te maskuar ne brigjet e lumit te Tiranes.

Nje nga ata qe arriti i pari tek vija e dyte e gadishmerise, ka qene Gezdar Veipi, i cili ne breke e kantiere, pa shlemofon, se bashku me nje teknik, kishin bere gadi avionin per fluturim. Pas pak edhe Gezdari u gjend ne ajer si nje "kuceder" me floket qe i ngriheshin perpjete nga forcat e rendeses dhe nga ajri ne kabine.

Ai dhe tekniku i tij, nga nxitimi kishn harruar te hapnin 8 celesat ne kutine e mbyllur me kapak peksigllasi ne krahun e djathte te pultit te komandimit, te cilet kane nje rendesi jetike pasi pa hapjen e tyre nuk punojne shume sisteme dhe agregate ne avion sic jane hapja dhe mbyllja e rotave ne ajer, sistemi katapultimit, berja e qitje bombardimit, etj.

Ata celesa, per mase sigurie, rrine mbyllur kur avioni nuk eshte ne vijen e pare te gadishmerise luftarake. Avioni me rrota te hapura dhe me shpejtesi te vogel vinte verdalle ne ajer si nje i dehur. Ne shikonim te shqetesuar aeroplanin e G.Veipit te vecuar me rrota te hapura e shpejtesi shume te reduktuar, ai mundohej te mbeshteste sa te mundte ciftin e pare, por ne ato kushte e kishte shume veshtire.

Koco Biku, me gjakftohtesi dhe me mencuri, i jep shenje pilotit jugosllav se nuk ka asnje alternative tjeter vecse te ulet ne aerodrom ose te prese sfiden e dyluftimit ajror! Kur Piloti jugosllav pa se edhe dy avione te tjere i qendronin ne krah, pranoi te dorzohet dhe dha shenjen e uljes duke leshuare rrotat dhe duke ju drejtuare aerodromit".

Perballe armikut.
Barjam Hitaj ben gati pistoleten. "Nderkohe qe avioni armik jugosllav po behej gati te ulej ne aerodrom, vazhdon tregimin Bardhyl Lubonja, une se bashku me shefin e Shtabit te Regjimentit Ajror, z. Vasil Qiraxhiu dhe pilotin e bombarduesit, z. Bajram Hitaj, nje ish partizan, kishim mbritur ne startin e veriut te pistes me "gazin e komandes" dhe atje na u dha urdheri nga shefi qe ta prisnim pilotin armik.

Gjate rruges neper pisten lidhese qe ne e quajme "ruloshke", B.Hitaj nxjer pistoleten e mbush dhe e mban jashte dritares, duke thene, "Te jemi gati per cdo situate…Mbase ai ka erdhur te na ftoje ne duel duke qene ndonje pilot AS jugosllav!" Shefi i shtabit, z. V.Qiraxhiu me gjakftohtesi i thot, "Bajram, fute ne kellef ate pistolete se nuk do jete e nevojshme …

" Une qesha duke mos e miratuare ate mendim kacakshe te pilotit trim Bajram Hitaj. Aeroplani jugosllav pasi beri dy rrotullime mbi aerodrom, erdhi ne ulje me kursin e veriut, ne zakonisht perdornim uljen ne drejtim te jugut. Formacioni cift i avioneve te "vijes se pare" me pilotat, M.Hysa dhe K.Biku qendronin ne reth mbi aerodrom deri sa piloti jugoslav fiku motorin dhe filloi te dale nga kabina.

Avioni qendroi atje ku ne i dhame shenjen. Ishte nje avion i tipit F 84G Thunderjet i prodhimit amerikan, i cili pak a shume ngjet me avionin tone Mig 15 por qe kishte ngjyre te gjelber ndryshe nga ngjyra e argjendet e avioneve tane. Avioni kishe shenjen e Forcave Ajrore Jugosllave me yllin e kuq brenda nje rrethi te bardhe.

Nr. i Avionit ka qene, ne mos gaboj, 17. Ne i zgjatem nje shkalle pilotit jugosllav por ai hapi disa pedale ne trupin e avionit dhe zbriti i qete. Pasi na nderoi ushtarakisht dhe na tha se cili ishte dhe na pyeti se kush ishim ne. Ai quhej Bozhidar Vojevic dhe ishte pilot i ri aq sa isha dhe une ne ate kohe, 23 24 vjec.

Perkthimin na i bente perfekt shefi i shtabit te regjimentit tone ajror, z. Vasil Qiraxhiu i cili kishte bere dy vite shkolle ne Jugosllavi per pilot. Boidari ishte veshur me nje pale kominoshe fluturimi, qe ishin ne te njejten kohe dhe kostum mbipeshash. Jashte jakes te xhakaventos i shkelqente nje kryq i vogel i arte, Vasil Qiraxhiu me mjeshteri e delikatese ia futi ate poshte jakes, qe mos behej shkak per diskutime kur ne te gjithe ishim urdheruar te ishim ateiste.

Vasili me thote mua: "Bardhi, ti rri ketu prane aeroplanit", ndersa ai me pilotin jugosllav dhe B.Hiten u nisen me "gazin" ne drejtim te komandes se regjimentit."

Enigma e "mysafirit" te paftuar
"Gjate kohes, qe qendrova prane avionit F 84G Thunderjet, e shikova mire nga te gjitha anet dhe shova kureshtjen time. Ishte hera e pare qe po shikoja nje aeroplan amerikan real dhe jo si ne mesimet taktike, maketet apo fotografite. Aeroplani i lyer me ngjyre te gjelber ngjasonte si nje bretkose.

Dukej se ishte i pergatitur per qitje dhe bombardim pasi ne krahet dhe poshte trupit kish nje numer bombash mesimore dhe raketa te pa drejtuara. Z. Koco Biku, me foli per disa detale te kesaj ngjarje, ne aerodromin tone Rinas. Skuadrilja me F 84G Thunderjet kryente stervitje luftarake dhe ishte ribazuar ne aerodromin e Zemunit. (Beograd Zemun eshte nje baze ajrore e Serbise e dislokuare 15 20 km ne veri perendim te Beogradit, afer lumit Sava, qe ka qene nje baze e "Royal Yugoslav Air Force" me emrin Dojno Polje dhe qe njekohesisht eshte dhe baza e pare ajrore jugosllave).

Diten e shkeljes te hapesires ajrore te Shqiperise, ky aeroplan ishte ngritur nga ai aerodrom dhe do vinte ne nje poligon stervitor te Kumanoves ne Maqedoni per te kryer detyren e tij stervitore. (Nuk eshte aspak e vertete ashtu sic shkruhet tek Free Wikipedia, Operacionet Luftarake te FASH.)

E verteta eshte sic thote z. Koco Biku, piloti jugosllav kishte humbur. Kur humbet orientimin, ai qe eshte pilot e di mire se cfare ngjet, eshte veshtire te mos shqetesohesh, te mbash gjakftohtesine dhe te perqendrohesh per ta rivendosur ate. Ne aviacionin boteror, humbja rruges dhe orientimit thirret "Rruga e Gabuar e Korriganit".

Kjo eshte quajtur keshtu pasi ne vitin 1938: Aviatori Douglas Corrigan u ngrit nga nje aerodrom i New York ut, duke thene se ai do te shkoje ne Kaliforni. Perfundimisht, pas nje fluturimi te gjate dhe ne drejtim te gabuare ai perfundoi ne Irlande! Nga ky shkak edhe sot, humbja ne ajer do te thirret "Rruga e Gabuar Corrigan"

Humbje orientimi dhe dalje jashte hapesires sone ajrore ka pasur dhe nga ana e piloteve tane disa raste. "Piloti jugosllav, Bozhidar Vojevic qendroi dy dite ne infermierine e regjimentit per trajtim dhe kontroll shendetesor, vazhdon tregimin Bardhi, pastaj e sollen ne nje dhome te katit te dyte te hotelit tone ku jetonim ne, pilotet dhe tekniket beqare. Une ne ate kohe jetoja ne katin e trete me pilotin Bilal Josa.

Boidar ishte nje njeri i thjeshte dhe i afrueshem, ne flisnim me te nganjehere. Na ndihmonte rusishtja per te komunikuar, kurse perkthyesi me i mire i tij ishte shefi i shtabit V.Qiraxhiu. Ne pergjithesi ai u trajtua shume mire dhe pas disa ditesh dukej shume i qete dhe i sigurte. Filloi edhe te luaje shah dhe bilardo me ne.

Ne ate kohe ne biseda te ndryshme spekullohej per nje kerkese per azil politik nga ana e pilotit jugosllav. Disa mendonin se u arratis nga Jugosllavia per arsye politike, disa flisnin nga frika se po te kthehej ne Jugosllavi do e burgosnin etj.

Te gjitha keto nuk ishin te verteta se po te deshte ai qe te arratisej, shkonte ne nje vend me demokratik se Shqiperia. Te verteten e di vete ai, por sipas mendimit tim, ai thjesht humbi orientimin. Une mendoj se si pilot i ri, thjesht eshte gezuar, qe pa nje aerodrom perpara ne kohen qe ka qene i shqetesuar nga humbja.

Pas disa ditesh, vjen nje ekip nga Forcat Ajrore Jugosllave, i cili beri bisedime me palen shqiptare dhe arriten marreveshjen te marin aeroplanin dhe pilotin. (Si rregull, ne e kishim qe nuk i dorezonim avionet e kapur). Aeroplanin jugosllav F 84G Thunderjet e mori me fluturim nje kolonel nga anetaret e komandes te regjimentit te Zemunit dhe ai u shoqerua deri ne kufirin tone shteteror nga nje cift avionesh tane, Mig 19.

Bozhidari me anetaret e tjere te ekipi jugosllav u nisen me makina ne drejtim te Jugosllavise duke na lene lamtumiren dhe duke u perqafuar me ne. Ne te gjithe u habitem me nje gje, ata sollen me vete edhe nje kamion te vogel e shume praktik, i cili ishte ne te njejten kohe autobot, terheqes, furnizues me ajer, me O2 dhe "APA," d.m.th. gjenerator elektrik per leshimin e motoreve te aeroplanit. Ne kishim nga nje makine per cdo lloj perdorimi! Kjo ngjarje beri efekt tek ne dhe per shume kohe nuk ndaluan diskutimet nga me te ndryshmet."

28 Maj, 2006 - Posted by | Aviation

1 Koment »

  1. It is perfect time to make some plans for the future and it is time
    to be happy. I’ve read this put up and if I may I wish to recommend you few interesting things or advice. Maybe you can write next articles referring to this article. I desire to read even more things approximately it!

    Koment nga auto insurance | 31 Mars, 2013 | Përgjigjuni


Lini një koment